Është kënaqësia jonë e veçantë që të prezantojmë edicionin e parë të Barometrit të Reformave Evropiane. Në vitin 2023 Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Kosovë, kanë bashkuar forcat për të dizajnuar një instrument të ri për vlerësimin sistematik dhe gjithëpërfshirës të performansës së Qeverise së Kosovës në zbatimin e reformave Evropiane.

Barometri i Reformave Evropiane ka tre qëllime parësore: (1) të avancoj diskursin publik mbi zbatimin e reformave evropiane duke komunikuar në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme reformat respektive; (2) të rris transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve duke ofruar vlerësim strikt, por fer, të performansës së ministrive të linjës; dhe (3) të mbështes ministritë në dizajnimin sa më efektiv të reformave evropiane duke ofruar analizë objektive dhe empirike mbi kornizën planifikuese të qeverisë në fushën e integrimit evropian.

Për të arritur këtë ne është dashur të dizajnojmë një metodologji unike e cila synon të bëjë një vlerësim holistik të kornizës planifikuese të qeverisë në fushën e integrimit evropian duke marr për bazë dy dokumente kryesore planifikuese të ekzekutivit në fushën e integrimit Evropian: Planin Kombëtar për Integrim Evropian dhe Agjendën Evropiane të Reformave. Periudha e vlerësimit e këtij barometri është janar – dhjetor 2023.